Qeveria miraton rregullat e reja për mbështetjen e startup-eve dhe inovacionit
Këshilli i Ministrave ka miratuar procedurat, kriteret dhe afatet që duhet të plotësojnë startup-et, scaleup-et dhe lehtësuesit e tyre për të përfituar financime dhe/ose masa mbështetëse nga shteti.

Llojet e financimit dhe masat mbështetëse
Mbështetja për startup-et do të ofrohet përmes instrumenteve financiare që përfshijnë grante, financime nëpërmjet kapitalit, subvencione, mbulim kostosh të pranueshme për kërkim, zhvillim dhe inovacion, si dhe mekanizma të lehtësimit të rrezikut. Paralelisht, parashikohen masa mbështetëse teknike si akses në infrastrukturë kërkimore dhe testuese, shërbime konsulence ligjore, financiare dhe biznesi, transferim teknologjie dhe vënie në dispozicion të infrastrukturës teknologjike. Fondet dhe llojet e mbështetjes do të përcaktohen në çdo thirrje publike të veçantë nga agjencia përgjegjëse.
Kush përfiton dhe si kategorizohen startup-et
Përfitues mund të jenë startup-et, scaleup-et dhe lehtësuesit e startup-eve të vetëdeklaruar në regjistrin elektronik dhe të pajisur me pasaportën përkatëse. Startup-et ndahen sipas fazave të zhvillimit: faza fillestare F1, faza e validimit F2 dhe faza e rritjes F3. Startup-et në F2 dhe F3, përfshirë scaleup-et, duhet të jenë të regjistruara ligjërisht në Shqipëri dhe jo më të vjetra se 6 vjet në momentin e aplikimit, ndërsa në fazën F1 mund të aplikojnë edhe individë privatë, vendas ose të huaj, përfshirë nomadë digjitalë, me kusht që të vijojnë aktivitetin në Shqipëri. Një subjekt mund të paraqesë vetëm një aplikim për çdo thirrje publike.
Procedura e aplikimit dhe afatet
Aplikimet për financim dhe/ose masa mbështetëse do të kryhen përmes platformës digjitale në portalin “e-Albania”. Afati për paraqitjen e kërkesave nuk mund të jetë më i shkurtër se 10 ditë pune dhe as më i gjatë se 30 ditë pune. Dokumentacioni dhe kushtet specifike përcaktohen në rregulloren shoqëruese të çdo thirrjeje publike, ndërsa disbursimi i fondeve realizohet me këste ose forma të tjera rimbursimi, të lidhura me arritjen e treguesve kyç të performancës së projektit .
Vlerësimi, ankimimi dhe komisionet
Procesi i vlerësimit realizohet nga Komisioni i Vlerësimit me 5 anëtarë, ndërsa ankimet shqyrtohen nga Komisioni i Ankimit me 3 anëtarë. Komisioni i Vlerësimit miraton listën paraprake të fituesve brenda 45 ditëve pune nga mbyllja e thirrjes, ndërsa ankesat mund të paraqiten brenda 5 ditëve pune nga njoftimi elektronik dhe shqyrtohen brenda 15 ditëve kalendarike. Anëtarët e komisioneve shpërblehen me 15 000 lekë për mbledhje, por jo më shumë se 12 pagesa në vit.
Monitorimi dhe vlerësimi i ndikimit
Agjencia përgjegjëse monitoron zbatimin e projekteve gjatë gjithë periudhës së financimit dhe deri në 12 muaj pas përfundimit të tyre. Çdo vit kryhet vlerësimi i performancës së fondeve të akorduara, duke analizuar numrin e aplikimeve, fondet e shpërndara, rezultatet e projekteve të mbështetura dhe numrin e ankimeve administrative, me qëllim përmirësimin e programeve të ardhshme të mbështetjes për startup-et dhe inovacionin në vend.
Burimi: Ekofin.al
Më të lexuarat






